Rritet me 54 për qind numri i fëmijëve që kryejnë kundërvajtje në vitin 2025

Numri i fëmijëve që kanë kryer kundërvajtje gjatë vitit 2025 është rritur për 54 për qind, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar te fëmijët viktima, me 118 për qind. Këto janë të dhënat e raportit më të ri të Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijët.
Sanksione janë shqiptuar ndaj 1.132 fëmijëve. Ndërkohë, katër fëmijë kanë përfunduar në burg, ndërsa është rritur edhe numri i kërkesave për dëmshpërblim.
Raporti evidenton gjithashtu rritje të numrit të vajzave që kryejnë akte dhune.
Nga Këshilli Shtetëror bëjnë të ditur se është shtuar edhe numri i fëmijëve të vendosur në institucionet edukativo-korrektuese. Sipas deklaratës, disa prej tyre janë vendosur aty për vepra të rënda, përfshirë sulme seksuale ndaj fëmijëve, grabitje dhe, në një rast, tentativë për vrasje.
Si një nga problemet kryesore vazhdon të theksohet mungesa e parandalimit. Pavarësisht detyrimit ligjor, shumë komuna nuk kanë këshilla për parandalimin e delikuencës së të miturve, gjë që e vështirëson trajtimin e këtij fenomeni.
Këshilli thekson gjithashtu problemin e mosfunksionimit të familjeve, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë vetëm për familjet me një prind, por për mungesën e kujdesit dhe përkujdesjes së duhur brenda familjes.
Sipas këtij institucioni, nevojitet koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve dhe riintegrim më efikas i fëmijëve në shoqëri. Megjithatë, Këshilli kundërshton uljen e moshës së përgjegjësisë penale për fëmijët nën moshën 14-vjeçare.