Një numër i madh pacientësh me goditje në tru dhe me gjendje që i paraprijnë kësaj sëmundjeje po trajtohen në Klinikën e Neurologjisë në Shkup, ku nuk ka vende të mjaftueshme për t’i sistemuar të gjithë. Mjekët paralajmërojnë se rreziku është veçanërisht i lartë te personat me sëmundje kronike, por raste të tilla po regjistrohen edhe te moshat më të reja. 
Drejtori i Klinikës, Jovan Bozhinovski, deklaroi për portalin „Veçer“ se ndryshimet e motit ndikojnë më tej te pacientët me sëmundje kronike.
Në mesin e pacientëve të shtruar dominojnë personat e moshuar që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, diabeti, pamjaftueshmëria e zemrës dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare. Trajtimi dhe rikuperimi mund të zgjasin shumë, ndërsa disa pacientë përballen me pasoja të përhershme.
Sipas Bozhinovskit, pacientja më e re që ka pësuar goditje në tru në këtë klinikë ishte një vajzë 16-vjeçare. Së fundmi është pranuar edhe një pacient 37-vjeçar.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin rregullisht terapinë e përshkruar nga mjekët dhe të kontrollojnë faktorët e rrezikut dhe sëmundjet kronike.
Simptomat që nuk duhen neglizhuar
Shtrembërimi i papritur i fytyrës, dobësia e krahut ose vështirësitë në të folur mund të jenë shenja të goditjes në tru. Në këto raste, duhet të thirret menjëherë ndihma e shpejtë mjekësore, pa pritur që simptomat të kalojnë vetë.
Maqedoni Nuk ka vende të lira në Klinikën e Neurologjisë, nga goditjet në...





