Rregulla të reja për administratën: Dy vlerësime negative, humbje e vendit të punës!

Nëpunësit administrativë që për dy vite radhazi do të vlerësohen me notën “1 – e pa mjaftueshme” do ta humbin vendin e punës, përcjell TV21. Ky është një nga risitë e parapara me ndryshimet në Ligjin për nëpunësit administrativë, të cilat Kuvendi i miratoi me procedurë të shkurtuar.

Me ndryshimet ligjore parashikohet një pasojë e qartë juridike për nëpunësit që vazhdimisht marrin vlerësimin më të ulët për dy vite radhazi. Ndërprerja e marrëdhënies së punës do të bëhet sipas fuqisë së ligjit.

Qëllimi i zgjidhjes së re është forcimi i përgjegjësisë në administratë dhe sigurimi i funksionimit më efikas të institucioneve.

Ndryshimet parashikojnë edhe shfuqizimin e mundësisë së avancimit pa shpalljen e konkursit të brendshëm, me qëllim që të sigurohen mundësi të barabarta për të gjithë nëpunësit administrativë dhe zbatimi i vazhdueshëm i sistemit të meritave.

Nga VMRO-DPMNE vlerësuan se me këto ndryshime korrigjohen mangësitë e periudhës së mëparshme.