Në çdo periudhë kohore, arsimi dhe kultura janë baza e një shoqërie të shëndoshë. Janë pasqyrë e ngritjes nga e kaluara dhe vizioni më i qartë i përparimit drejt së ardhmes.
Arsimi është shtylla më e rëndësishme e shoqërisë dhe një nga përgjegjësitë më të mëdha që kemi ndaj brezave të rinj. Me kalimin e kohës, me ardhjen e gjeneratave të reja, shkolla dhe procesi edukativo – arsimor përballet me ndryshime të shumta, me pritshmëri gjithnjë e më të larta dhe me sfida që nuk mund të zgjidhen vetëm brenda klasës. Në qendër të gjithë këtij procesi është fëmija/nxënësi – aftësitë, ndjenjat dhe mundësitë e tij, prandaj, kur flasim për arsimin, nënkuptojmë punën përkushtuese të mësimdhënësit, familjen dhe rolin e saj ndikues, si dhe angazhimin e përbashkët për të ardhme më të mirë.
Në Maqedoninë e Veriut, vitet e fundit bëhen reforma të mëdha në arsim, sidomos në arsimin fillor, por sa ato harmonizohen me rrethanat tjera, kushtet dhe mjetet e punës, është çështje për të cilën duhet diskutuar gjatë dhe me profesionalizëm.
Nxënësi – familja – shkolla
Arsimi, përmes shkollës dhe procesit edukativo – arsimor, te nxënësi, nuk e mundëson vetëm përvetësimin e njohurive, por edhe formimin e personalitetit, ndërtimin e karakterit, zhvillimin e vlerave njerëzore dhe përgatitjen e brezit të tërë me ndikim në shoqëri.
Shkolla është vendi ku fëmija/nxënësi mëson të lexojë, të shkruajë, të mendojë e të arsyetojë, por njëkohësisht mëson të bashkëpunojë, të përballet me vështirësitë dhe të kuptojë përgjegjësinë që ka ndaj vetes dhe shoqërisë. Pra, shkolla është vendi ku nxënësi merr dije, edukatë, kënaqësi bashkëpunimi, etj dhe jep respekt, dashuri, solidarizim, etj.
Nisur nga përvoja ime shumëvjeçare si mësimdhënëse, mendoj se arsimi i sotëm nuk mund të kuptohet vetëm përmes programeve mësimore, teksteve shkollore, rezultateve dhe vlerësimeve. Pas çdo nxënësi që ulet në bankën shkollore qëndron një ngjarje personale, një familje, një mjedis shoqëror, përvoja e emocione që ndikojnë në mënyrën se si ai mëson, ambientohet, bashkëvepron, i kupton dhe përpiqet të jetë i kuptuar nga të tjerët. Pikërisht për këtë arsye, të flasësh për arsimin do të thotë të flasësh edhe për fëmijën dhe detyrën e tij në nxënie, familjen, mësuesin dhe shoqërinë në tërësi. Nxënësi – familja – shkolla janë linja e domosdoshme për edukim shembullor dhe arsim cilësor.
Mësimdhënësi i përkushtuar dhe i përgjegjshëm
Mësuesi (mësimdhënësi) është faktor shumë i rëndësishëm në realitetin e sotëm. Ashtu sikurse në çdo kohë, ai nuk është vetëm përcjellës i njohurive. Ai është udhërrëfyes, motivues, vëzhgues dhe mbështetës i nxënësve.
Në përshkrimin parësor, mësimdhënësit, përveç përgatitjes së mësimit dhe vlerësimit, i kërkohet që të përshtatet me nevoja të ndryshme, të përdorë metoda bashkëkohore, të krijojë mjedis gjithëpërfshirës dhe të bashkëpunojë me prindërit dhe kolegët. Kjo nënkupton që mësuesi vazhdimisht duhet të lexojë dhe kërkojë njohuri të reja, ta plotësojë me risi profilin e tij intelektual, të bashkëpunojë a të konsultohet me profesionistë pedagogjikë. Sigurisht, tërë ky angazhim kërkon kohë, energji, durim drejt zhvillimit më cilësor profesional.
Përkushtimi i mësimdhënësit ndaj punës me nxënës është i rëndësishëm, mirëpo gjithashtu është po aq e rëndësishme që ai mbështetet me mjete dhe kushte të përshtatshme pune, ndihmesë institucionale dhe respekt për profesionin.
Roli i mësuesit në realitetin e sotëm
Nga përvoja personale, për një kohë të gjatë në procesin e mësimdhënies, kam kuptuar se ky profesion kërkon shumë më tepër sesa njohuri profesionale dhe përgatitje të mirë të orës mësimore. Mësuesi duhet të jetë njëkohësisht edukator, motivues, dëgjues, vëzhgues dhe mbështetës i fëmijës/nxënësit. Ai duhet të dallojë, jo vetëm atë që nxënësi di, por edhe atë që e shqetëson, atë që e pengon të përqendrohet dhe atë që ndonjëherë nuk arrin ta shprehë me fjalë.
Një mësimdhënës i përgatitur profesionalisht duhet ta njohë edhe ndjeshmërinë ose botën psiko-sociale të nxënësit, pasi në një klasë, ata mund të kenë të njëjtën moshë, mirëpo ata nuk janë të njëjtë, nuk vijnë nga kushte të njëjta dhe nuk e kanë të njëjtën ndihmesë nga prindërit/familja e tyre. Për këtë arsye, përgjatë viteve të punës shumëvjeçare, e kam ndjerë të domosdoshme që të përdor metoda të kombinuara pune, pasi vetë nxënësit ndryshojnë në aftësi dhe ritëm të të nxënit. Gjithashtu, ata kanë formim dhe karakter të ndryshëm, prandaj edhe shfaqin interesa dhe mënyra të ndryshme gjatë reagimit përballë sfidave. Disa janë të sigurt dhe të hapur, ndërsa të tjerë janë të tërhequr, të ndjeshëm ose kanë nevojë për më shumë kohë dhe përkrahje, prandaj mësimdhënia nuk mund të mbështetet vetëm në një mënyrë të vetme pune; ajo kërkon vëmendje, durim dhe aftësi për ta kuptuar botën psikologjike të tij.
Sot, ky profesion – mision i rëndësishëm, mësimdhënësit ia pamundëson përkushtimin vetëm për vetëm ndaj nxënësit, pasi ai përballet me një sërë kërkesash dhe përgjegjësish administrative. Përveç përgatitjes dhe realizimit të mësimit, ai duhet të merret me dokumentacionin, vlerësimin, raportet, evidencat dhe detyra të tjera administrative. Të gjitha këto kanë rëndësinë e tyre, por kur ngarkesat bëhen të tepërta, ekziston rreziku që koha dhe energjia që duhet t’i kushtohen drejtpërdrejt nxënësit të zvogëlohen. Prandaj, një nga çështjet që meriton vëmendje është gjetja e një ekuilibri të drejtë ndërmjet kërkesave administrative dhe punës së drejtpërdrejtë edukativo-arsimore.
Mendoj se cilësia e arsimit nuk duhet të matet vetëm me numrin e dokumenteve të plotësuara, por edhe me cilësinë e marrëdhënieve që ndërtohen me nxënësit, me përparimin e tyre dhe me ndikimin që shkolla ka në formimin e tyre.
Gjithashtu, arsimi përballet edhe me një sfidë tjetër. Mund të themi se sa më shumë që ndryshon shoqëria, zhvillohet e përparon teknologjia, po aq përparojnë e plotësohen mënyrat e të nxënit, të cilat jo vetëm se marrin forma të reja, por bëhen më interesante. Gjithsesi, këto ndryshime vërtet krijojnë mundësi, mirëpo sjellin edhe vështirësi. Nxënësit përballen me ngarkesa mësimore, ndikime nga mjedisi shoqëror dhe përdorimi i tepruar i pajisjeve digjitale. Ky ndikim, për shumë nxënës, fatkeqësisht shndërrohet në rutinë të përditshme, madje edhe me varshmëri të dukshme. Disa nxënës kanë nevojë për më shumë kohë, përkrahje dhe qasje të individualizuar, ndërsa të tjerë mund të përballen me vështirësi emocionale ose me rrethana familjare që ndikojnë në përqendrimin dhe suksesin e tyre. Për këtë arsye, suksesi nuk duhet të matet vetëm me nota, por edhe me përparimin, përpjekjen dhe zhvillimin e secilit nxënës.
Procesi mësimor mbështetet në marrëdhënien ndërmjet nxënësit, mësimdhënësit dhe përmbajtjes mësimore. Mirëpo që marrëdhënie të japë rezultate të qëndrueshme, duhet të përkrahet nga familja dhe nga institucionet arsimore. Kur njëra palë mbetet e vetme, vështirësitë bëhen më të mëdha. Shkolla dhe mësimdhënësi nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet që fëmija sjell me vete, as familja nuk mund t’ia kalojë të gjitha përgjegjësitë shkollës. Nevojitet bashkëpunim, komunikim i rregullt dhe një qëllim i përbashkët: mirëqenia dhe përparimi i fëmijës.
Çfarë mund të bëjmë?
Arsimi, realisht është në një fazë të vështirë eksperimentimi. Për ta përmirësuar arsimin, duhet të forcojmë bashkëpunimin mes shkollës dhe familjes, të mbështesim mësimdhënësit me mundësi reale për zhvillim profesional dhe të krijojmë mjedise ku nxënësit ndihen të sigurt e të pranuar. Prindërit mund të tregojnë interes për përditshmërinë shkollore të fëmijëve, ndërsa shkolla duhet t’i përfshijë ata si partnerë. Institucionet duhet t’i dëgjojnë nevojat e mësimdhënësve dhe nxënësve, të sigurojnë burime të përshtatshme dhe ta vlerësojnë punën arsimore jo vetëm përmes rezultateve, por edhe përmes përparimit dhe përfshirjes së çdo fëmije.
Arsimi sot është një udhëtim mes sfidave, përkushtimit dhe shpresës. Asnjë mësimdhënës, prind apo institucion nuk mund ta përmbushë i vetëm këtë mision. Shpresa për një arsim më të mirë fillon kur e vendosim fëmijën në qendër dhe kur përkushtimin e kthejmë në veprime konkrete, pasi çdo fëmijë meriton mundësinë të mësojë, të rritet dhe të besojë në të ardhmen e vet.
Mimoza BEXHETI
(mësimdhënëse në sh. f. “Liria” – Tetovë).



