Kim Mehemti
Policia e Shqipërisë po e mbron Piktorin duke hedhur bomba gazi helmues mbi rininë shqiptare dhe duke e qëlluar atë me plumba gome të blerë në Serbi e Izrael.
Me këtë u pa se ai nuk ka blerë ilaçe, nuk ka investuar në arsim, nuk ka ndërtuar konvikte studentore…., sepse ka bërë harxhime për të paguar mercenarë, për të blerë bomba gazi lotsjellës e plumba manovre, pra për t’u bërë gati për këto ditë kur do të duhet të luftojë kundër popullit të vet.
Ndërkohë, në mbrojtje të Piktorit doli kryetari i BDI-së, duke thënë se të rinjtë e Shqipërisë janë nën ndikimin e manipulimit të qarqeve armiqsore të mëmëdheut!?
Këtë e tha njeriu që e kanë ulur në prehën qarqet politike e policore antishqiptare, këtë pra e pohoi njeriu që me aq entuziazëm iu përkushtua realizimit të projektit serbo-rus ‘Ballkani i Hapur’, njeriu që i shiti shqiptarët e Maqedonisë vetëm që familjarët e tij të mund të blejnë pasuri përrallore!
Pra, këtë e tha njeriu që më së miri dëshmon një të keqe tonën mbarëkombëtare: se edhe analfabetët tanë, edhe bardët, edhe hajdutët, edhe të ndershmit, edhe të pafytyrët e të ndërgjegjshmit…, të jenë në të njëjtin rrafsh dhe cilido prej tyre mund të vetëshpallet strateg kombëtar.
Mbase shkaku i kësaj tollovie, vëllezërit tanë të mëmëdheut, vonë e kuptuan se kishin rënë në duart e kryesuesit të ‘Alenacës së Qelbësirave’ – Piktorit, në duart e njeriut që beson se shqiptarët janë një kope kokëtulash që kurrë nuk do ta kuptojnë gënjeshtrën e tij: se është duke e murosur parajsën me muratorët e ferrit!
Pra me vonëse e pane se Kryeministri i tyre kishte harruar se deri më sot nuk ka ndodhur që ndonjë diktator ta fitojë betejën kundër studentëve dhe rinisë dhe se dallimi mes protestave në Tiranë dhe atyre perëndimore ka të bëjë me atë se rinia franceze proteston për mirëqenie, ndërsa rinia shqiptare për ta shpëtuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar!
Ndërkohë do mbetet e paqartë si nuk u gjetë në ‘Aleancën e Qelbësirave’ një hajdut më i kthjelltë që t’i tregonte Piktoirt se heredo-kurdo populli do e kuptonte se bunkerin dhe kopshtin e lumturisë së vet në Surrel ai e kishte ndërtuar mbi tokën e një Shqipërie, të cilën e kishte bërë të pabanueshme për shqiptarët.
Siç do mbetet e pakuptimtë se si nuk mbeti një burrë i vetëm në atë paçavure të quajtur PS, që t’i thotë Piktorit se, nëse do të vazhdojë të jetojë me bindjen se pa të nuk mund të ketë Shqipëri dhe nëse nuk jep dorëheqje, ai vetëm do ua plotësojë dëshirën atyre që duan ta tërheqin zvarrë!



