Mbi 70 llogari me të dhëna nga Maqedonia shiteshin në tregun ilegal online të zbuluar nga MPB-ja dhe FBI-ja

Gjatë operacionit të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), që çoi në zbulimin e një tregu ilegal në internet për shitjen e të dhënave të vjedhura, është konstatuar se në këtë platformë ofroheshin për shitje mbi 70 llogari përdoruesish të lidhura me Maqedoninë e Veriut.

Siç kanë konfirmuar nga MPB-ja për gazetën “Sloboden Peçat”, bëhet fjalë për llogari të postës elektronike, shërbime webmail dhe llogari të paneleve të administrimit të faqeve të internetit (cPanel), të cilat ishin vënë në dispozicion për blerje nga kriminelët kibernetikë.

“Këto llogari ishin të lidhura me domene të personave juridikë të regjistruar në Maqedoni”, kanë sqaruar nga MPB-ja.

Në kuadër të hetimeve është ngritur kallëzim penal kundër E.A. (20), nga Reçica e Madhe e Tetovës, i dyshuar për administrimin e tregut kriminal online “OLVX”.

Operacioni është përshëndetur nga FBI-ja dhe Ambasada Amerikane në Shkup.

“FBI-ja përgëzon partnerët tanë nga Sektori për Krim Kompjuterik pranë Byrosë për Siguri Publike të MPB-së për arrestimin e administratorit të tregut kriminal online OLVX”, thuhet në reagimin e FBI-së.

Sipas Byrosë Federale të Hetimeve, ky operacion shënon bashkëpunimin e parë të koordinuar kibernetik ndërmjet FBI-së dhe Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit në hapësirën digjitale.

FBI-ja theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me partnerët në mbarë botën për mbrojtjen e qytetarëve amerikanë nga kërcënimet kibernetike./Sloboden Peçat