Voziste në një rrotë aty ku humbi jetën Frosina, identifikohet motoçiklisti

Policia ka identifikuar A.A., 37 vjeç nga Shkupi, i cili më 3 tetor drejtonte një motoçikletë “Suzuki” në një rrotë në bulevardin “Aradhat Partizane”, duke rrezikuar sigurinë në trafik.

Ngjarja ndodhi pranë Sallës Universale, në vendin ku humbi jetën Frosina Kullakova. Policia veproi pas publikimit të videos më 10 tetor dhe e identifikoi drejtuesin me ndihmën e sistemit “Qyteti i Sigurt”.

Gjatë bisedës me policinë, 37-vjeçari pranoi se drejtonte pa patentë shoferi dhe se kishte publikuar disa video në TikTok.

Ndaj tij do të ngrihen dy kallëzime penale: për drejtim të papërgjegjshëm të automjetit dhe rrezikim të sigurisë në trafik me veprim apo mjet të rrezikshëm. Për rastin është njoftuar prokurori publik.