Debat për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut në emision “Dialog te Lajmi”, mes gazetarit Tahiri dhe Azirit, i cili mbrojti propozimin për masa të përkohshme që synojnë korrigjimin e pabarazive të krijuara ndër vite.
Tahiri e vuri në pikëpyetje realizueshmërinë e propozimit që shqiptarët të përfaqësohen me 54 për qind në pranimin në akademitë policore dhe institucionet për trajnimin e gjyqtarëve e prokurorëve, ndërsa maqedonasit me rreth 30 për qind.
“Ndonjëherë bëni propozime joreale, që edhe vetë e dini se nuk kalojnë”, iu drejtua Tahiri bashkëbiseduesit.
Aziri kundërshtoi, duke theksuar se propozimi synon të ndryshojë gjendjen aktuale, ku, sipas tij, në disa institucione raporti i përfaqësimit arrin në 90 me 10 apo 92 me 8.
“Nëse vazhdon ky trend, ne kurrë nuk do ta arrijmë nivelin e nevojshëm”, deklaroi Aziri, duke mbrojtur masa të përkohshme favorizuese për komunitetin më pak të përfaqësuar.
Tahiri, nga ana tjetër, theksoi se zgjidhja duhet kërkuar te zbatimi i parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, pa diskriminim pozitiv apo negativ.
Aziri argumentoi se propozimi ligjor është i domosdoshëm edhe nëse aktualisht nuk siguron shumicën parlamentare, pasi, sipas tij, dëshmon se ekziston një alternativë konkrete për zgjidhjen e problemit.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si të drejtat kushtetuese, sipas tij, kufizohen përmes ligjeve, akteve nënligjore dhe procedurave administrative.
“Në fund mbetet një e drejtë kushtetuese, por e papërdorshme”, përfundoi Aziri.



