Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëron kallëzim penal dhe ndërkombëtarizim të çështjes së televizionit “Arena M”. Ai pretendon se mediumi ka marrë leje si kanal i huaj, ndonëse programi prodhohet në Shkup.
Filipçe njoftoi se do të ngrihet kallëzim penal ndaj drejtorit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçevski, për mënyrën se si “Arena M” ka marrë lejen për transmetim.
Sipas pretendimeve të tij, televizioni prodhon dhe transmeton program nga ambientet e Stadiumit të Qytetit në Shkup, ndërsa lejen e ka marrë sikur të ishte kanal i huaj.
“Një medium që prodhon program këtu ka marrë leje sikur të ishte i huaj. Kjo është e kundërligjshme dhe dëmton buxhetin”, deklaroi Filipçe.
LSDM-ja paralajmëroi se çështjen do ta adresojë edhe në Bruksel. Partia synon t’i shkruajë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe komisioneres Marta Kos.
Në letrat drejtuar zyrtarëve të lartë evropianë, partia thotë se do të paraqesë pretendimet e saj për ndikimin e mediave që i lidh me konceptin e “botës serbe”.



