Bullgaria kthen mbrapsht mbi dy tonë qumësht të thartë nga Manastiri!

SOFIJE / MANASTIR — Autoriteti Bullgar i Sigurisë Ushqimore ka kthyer mbrapsht mbi dy tonë qumësht të thartë nga Maqedonia e Veriut, pas kontrolleve të ushtruara në vendkalimin kufitar Gjueshevë. Bëhet fjalë për një dërgesë nga kompania “Lactalis MK Mlekarnica” Sh.P.K. – Manastir.

Sipas autoriteteve bullgare, gjatë kontrollit të një automjeti transporti janë ndaluar 576 kartona, me nga 20 paketime secili.

Arsyet e kthimit:
Shkaku i bllokimit ka qenë mosputhja mes të dhënave të shënuara në certifikatë dhe shenjave (etiketave) në paketimet e produktit.

E gjithë sasia e mallit është kthyer në Maqedoninë e Veriut brenda të njëjtës ditë. Agjencia bullgare njoftoi se kontrollet kufitare vazhdojnë pandërprerë për të parandaluar hyrjen e ushqimeve që nuk plotësojnë standardet e kërkuara të Bashkimit Evropian.