Katër kantiere ndërtimi në territorin e Komunës Qendër janë gjobitur gjatë javës së fundit për lënien e materialeve dhe mbeturinave ndërtimore në hapësirat publike.
Shërbimet inspektuese kanë shqiptuar gjoba nga 1.300 deri në 1.800 euro, për shkelje të rregullave për rendin komunal dhe pastërtinë publike.
Nga Komuna Qendër thonë se materialet dhe mbeturinat e lëna në hapësirat publike pengonin lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin normal të automjeteve.
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, tha se inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe po kontrollojnë kantieret aktive.
Komuna u ka bërë thirrje investitorëve dhe kompanive ndërtimore që të respektojnë detyrimet ligjore, të mos uzurpojnë hapësirat publike dhe të sigurojnë lëvizje të sigurt e të papenguar për qytetarët.
Kontrollet inspektuese në kantieret e ndërtimit në territorin e Komunës Qendër do të vazhdojnë me intensitet të shtuar.



