Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqje nga posti më 27 shtator.
Vuçiç tha se gjatë mbrëmjes së asaj dite do t’u drejtohet qytetarëve për t’i falënderuar për mbështetjen gjatë viteve të tij në detyrë.
“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen”, deklaroi Vuçiç gjatë një interviste për televizionin “Pink”.
Ai tha se ka shërbyer me përkushtim ndaj Serbisë dhe qytetarëve të saj, duke theksuar se ka qenë presidenti që ka qëndruar më gjatë në këtë post që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vend.
Njoftimi vjen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ku protestat studentore dhe përplasjet mes pushtetit dhe opozitës kanë vazhduar prej muajsh.
Gjatë intervistës, Vuçiç foli edhe për protestat studentore dhe Listën Studentore, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë politikisht ish-kreu i Partisë Demokratike, Bojan Pajtiç, dhe ish-zëvendëspresidenti i saj, Dushan Petroviç.



