VLEN nga Shkupi: UÇK-ja zhvilloi luftë të drejtë, Thaçi dhe të tjerët meritojnë drejtësi

VLEN ka dalë në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Në reagimin e saj, partia vlerëson se lufta e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare për liri, dinjitet dhe mbijetesë, ndërsa pavarësinë e Kosovës e cilëson si rezultat të sakrificës së shqiptarëve dhe dëshmorëve.

Duke iu referuar procesit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, VLEN thekson se akuza nuk përbën aktgjykim dhe se duhet respektuar prezumimi i pafajësisë deri në përfundimin e procesit.

“Qëndrojmë pranë Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe vlerave të luftës së UÇK-së”, thuhet në reagimin e VLEN-it, e cila shpreh shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen të lirë pranë familjeve të tyre.