Bekim Sali gjen zgjidhje për hapësirat e UNT-s

Rritja e numrit të studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” ka sjellë nevojën për hapësira të reja, ndërsa një zgjidhje e përkohshme tashmë është gjetur.

Zv.kryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, së bashku me rektorin e UNT-së, prof. dr. Bekim Fetaji, kanë shqyrtuar hapësirat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, të cilat pritet të shfrytëzohen për nevojat e universitetit.

Sali bëri të ditur se kjo zgjidhje synon t’u sigurojë studentëve kushte më të përshtatshme për studim dhe proces mësimor të pandërprerë, deri në realizimin e kampusit të përhershëm të UNT-së.

“Për UNT-në nuk mjaftojnë premtimet. Nevojiten veprime, zgjidhje dhe përgjegjësi institucionale”, deklaroi Sali.

Zgjidhja e përkohshme vjen në një kohë kur UNT-ja po përballet me rritje të numrit të studentëve dhe mungesë të hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin normal të mësimit.