Gashi: Nuk pres zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se nuk pret që Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Gashi në brifingun e rregullt me gazetarët, duke theksuar se bindja e tij bazohet në intuitën politike.

Gashi bëri të ditur se gjatë koordinimit me koordinatorët e grupeve parlamentare është diskutuar edhe Ligji Zgjedhor, pas qëndrimeve të shprehura së fundmi lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Ai bëri thirrje që grupi punues dhe koordinatorët të vazhdojnë bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Duke folur për ligjin për përfaqësim të drejtë, miratimi i të cilit është bllokuar në Kuvend, Gashi tha se ka komunikim me liderë politikë, por mohoi se ndër ta është edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetari i Kuvendit njoftoi gjithashtu se së shpejti do të thirret seanca e Komisionit për Politikë të Jashtme, ku ambasadorët e rinj do të prezantojnë prioritetet e tyre.

Në koordinimin e sotëm është kërkuar edhe që Qeveria të shqyrtojë mungesën e disa ministrave në seancat për pyetje të deputetëve dhe opozitës. Gjithashtu është propozuar shtyrja e seancës për pyetje parlamentare, pasi kryeministri Hristijan Mickoski pritet të jetë në Nju Jork më 24 shtator, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.