Gocevski: Që në vitin 1987 diskutohej mundësia e shpërbërjes së Jugosllavisë

Trajan Gocevski, ministri i parë i Mbrojtjes së Maqedonisë së pavarur, ka rrëfyer se që në vitin 1987 në qarqet e larta jugosllave diskutohej mundësia e shpërbërjes së federatës dhe nevoja që Maqedonia të përgatitej për një rrugë të pavarur.

Në një intervistë për 4TV, Gocevski kujton takimet me Kiro Gligorovin dhe gjeneralin Mihajlo Apostollski, ku, sipas tij, flitej për krizën gjithnjë e më të thellë në Beograd.

“Atje lart nuk po shkon siç duhet”, kujton Gocevski t’i kishte thënë Gligorovi, duke paralajmëruar se, në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të nevojitej përgatitje dhe njerëz të aftë.

Sipas Gocevskit, këto biseda ishin ndër hapat e parë drejt përgatitjes politike, institucionale dhe të sigurisë për të ardhmen e Maqedonisë jashtë kornizës jugosllave.