Dëmet nga zjarret pyjore në Maqedoninë e Veriut kanë arritur në rreth 4 milionë euro deri në fund të korrikut, ndërsa vlerësimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të sezonit të zjarreve.
Zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”, Kire Mihaillov, tha se deri tani janë përfshirë nga flakët qindra hektarë pyje. Sipas tij, numri i zjarreve nuk është jashtë mesatares së viteve të fundit.
Megjithatë, dëmet e këtij viti janë dukshëm më të ulëta krahasuar me dy vitet paraprake. Në vitin 2024 dëmet kaluan 83 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 arritën mbi 50 milionë euro.
Pas përfundimit të sezonit, ekipet e “Pyjeve Kombëtare” do të hyjnë në zonat e djegura për të vlerësuar dëmet dhe për të përcaktuar se cilat sipërfaqe duhet të pastrohen dhe ku do të ndërmerren masa për ripërtëritjen e pyjeve.
Mihaillov tha se një pjesë e zjarreve dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht, ndërsa të tjera nga pakujdesia. Si shembull përmendi zjarrin pranë fshatit Bigla në Dellçevë, ku u dogjën mbi 200 hektarë pyll.
Ai vlerësoi se dënimet me burg për zjarrvënësit kanë efekt parandalues, por theksoi nevojën për më shumë ndërgjegjësim publik për pasojat e zjarreve, veçanërisht për ndotjen e ajrit.



