Alarm për blerësit shqiptarë e maqedonas në Greqi: Taksa e pronave mund të pesëfishohet nga 1 janari!

Greqia planifikon të rrisë ndjeshëm taksën për transferimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme për qytetarët e vendeve jashtë BE-së.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi se norma do të rritet nga 3% në 15%, masë që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, nëse miratohet pa ndryshime.

Kjo prek edhe shtetasit e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët konsiderohen qytetarë të vendeve të treta.

Për një pronë prej 400 mijë eurosh, taksa do të rritej nga rreth 12 mijë në 60 mijë euro, ndërsa për një pronë prej 250 mijë eurosh, nga 7.500 në 37.500 euro.

Mitsotakis tha se masa synon të kufizojë ndikimin e blerësve të huaj në tregun grek të pasurive të paluajtshme.