Mickoski: Qeveria jonë ka sjellë 1.4 miliardë euro investime të huaja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi ka shënuar rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte gjatë periudhës së qeverisjes së tij.

Sipas Mickoskit, në rreth dy vitet e fundit, vlera e investimeve të huaja direkte ka arritur në afërsisht 1.4 miliardë euro.

Duke folur për rezultatet ekonomike të Qeverisë, kryeministri bëri një krahasim me periudhën e qeverisë së kaluar. Ai tha se gjatë dy viteve të para të mandatit të saj, kur sipas tij nuk kishte kriza të mëdha, investimet e huaja direkte ishin rreth 750 milionë euro.

“Gjatë 24 muajve e gjysmë që nga zgjedhja e kësaj Qeverie, niveli total i investimeve të huaja është rreth 1.4 miliardë euro”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se krahasimi me qeverinë e mëparshme është i nevojshëm për të parë rezultatet e arritura, duke nënvizuar dallimin në vlerën e investimeve.

“Ne jemi qeveria që e mposhti qeverinë e mëparshme. Ne ofruam një koncept të ri dhe morëm mbështetjen e qytetarëve. Prandaj, duhet të krahasohemi me rezultatet e qeverisë së kaluar”, tha Mickoski.

Sipas tij, diferenca mes dy periudhave është e konsiderueshme, pasi investimet e huaja gjatë mandatit aktual janë pothuajse dyfish më të larta krahasuar me dy vitet e para të qeverisjes së kaluar.

“Shifrat janë të qarta dhe diferenca është e madhe”, përfundoi kryeministri.