Boban Utkovski, drejtori i burgut të Shkupit në Shutkë, ka dhënë dorëheqje nga detyra, konfirmoi ai për TV 24. Utkovski bëri të ditur se vendimi për t’u larguar nga posti drejtues është marrë për arsye personale. Dorëheqja tashmë i është dorëzuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe pritet të shqyrtohet në një nga seancat e ardhshme të qeverisë. Utkovski u emërua ushtrues detyre i drejtorit të burgut të Shkupit në fund të korrikut të vitit 2024. Pas shqyrtimit të dorëheqjes, pritet që Qeveria të marrë vendim lidhur me përfundimin e mandatit të tij dhe drejtimin e mëtejshëm të institucionit korrektues në Shutkë.
(plusinfo.mk)



