Procesi i regjistrimeve në shkollat e mesme po hyn në fazën përmbyllëse. Konkurrenca e lartë për t’u bërë pjesë e gjimnazit apo e mjekësisë bëri që shumë nxënës të mbesin jashtë listave të pranimit. Për këtë arsye, dhjetëra prej tyre po orientohen drejt shkollave ku gara është më e lehtë, siç janë shkolla e mesme tekstile dhe ajo profesionale bujqësore “Mosha Pijade”.
Edhe pse në këto shkolla vërehet një rritje e lehtë krahasuar me vitet e kaluara, interesimi mbetet ende larg niveleve të gjimnazit apo mjekësisë. Zëvendësdrejtori i shkollës profesionale “Mosha Pijade”, Faton Mustafi, u bën thirrje të gjithë nxënësve që kanë prirje drejt profesioneve praktike që të bëhen pjesë e këtij institucioni.
“Kështu është një analogji e cilën nga viti në vit vazhdon që nxënësit të regjistrohen më tepër në shkollat e mesme të përgjithshme, duke anashkaluar drejtimet dhe shkollat e mesme profesionale. Por këtë vit, sikur edhe vitin e kaluar, kemi pasur mjaft nxënës të cilët tanimë janë pjesë e mësimeve praktike nëpër kompani të ndryshme. Dhe ne, duke u bazuar në ekonominë e tregut dhe në kompanitë të cilat gravitojnë në komunën e Tetovës dhe përgjithësisht në Polog, kemi… ofrojmë dhe kemi kushte të cilat mund të zbatohen te kompanitë të cilat janë në këtë komunë dhe të gjithë nxënësit të cilët vijnë në shkollën tonë dhe mësojnë mësimet praktike në kompani, ato veçmë janë si produkt i gatshëm edhe për kompanitë. Kështu që të gjithë nxënësit të cilët kanë aftësi për ndonjë drejtim profesional, lirshëm mund të drejtohen në shkollën tonë që të vazhdojnë pastaj edhe zhvillimin profesional të tyre”, tha Faton Mustafi – zëvendësdrejtor i “Mosha Pijade”.
Nga ana tjetër, ndihmësdrejtori i Shkollës së Mesme Tekstile, Besim Sallahi, sqaron se ndonëse në dy afatet e para numri i aplikimeve nuk ishte i kënaqshëm, në këtë afat të tretë vërehet një rritje e interesimit.
“Po, po shkolla jonë ju dhuron edhe me zanat, ku pas përfundimit të shkollës së mesme ata mund edhe të punohen. Bile këto që i kemi, i kemi dy drejtime… dy klasa që janë duale, ku ata e bëjnë edhe praktikën nëpër këto firmat, ku edhe marrin një ndihmesë edhe nga shteti. Dhe dihet se kur përfundojnë me shkollën e mesme, ata edhe punësohen edhe do të kenë rrogë e kështu me radhë. Por nuk do të thotë se kjo se ata nuk mund të shkojnë edhe në fakultet. Nëse nxënësit tanë shembull paraqiten për ta dhënë provimin shtetëror, ata si të tjerët e japin provimin shtetëror dhe mund të regjistrohen edhe në fakultet”, deklaroi Besim Sallahi – ndihmësdrejtor në shkollën e mesme tekstile.
Nxënësit që kryejnë shkollën tekstile apo atë bujqësore kanë të gjitha të drejtat për të vazhduar arsimin e lartë në çdo fakultet. Sidoqoftë, mungesa e fushatave sensibilizuese nga sektorët e arsimit bën që gjimnazi dhe mjekësia të mbingarkohen, ndërsa shkollat profesionale e ekonomike të mbesin në hije.





