Nga Enver Robelli
Ceremonia e nderimit të Ratko Mlladiqit në Beograd është paralajmërim për popujt e tjerë të Ballkanit: Serbia e Aleksandar Vuçiqit ende është e etur për gjakderdhje.
7 shtatori i vitit 2026 do të hyjë në histori si një ditë kur një pjesë e madhe e shoqërisë serbe u dërgoi sinjale urrejtjeje popujve fqinjë, të cilët në vitet 90-të nga Beogradi u sulmuan me qëllim të shfarosjes. Në terren, fushatën e shfarosjes e drejtonin kriminelë me uniforma gjenerali si Ratko Mlladiq, ndërsa nga prapavija komandant i fushatave pushtuese serbe ishte Sllobodan Millosheviqi, i përkrahur nga ushtria, forcat policore, paramilitare dhe kriminelët e “rëndomtë”.
Varrimi i Ratko Mlladiqit ishte demonstrim i egërsisë së nacionalizmit shkatërrues serb. Ishte një imitim i çmendurisë nacionaliste të vitit 1983, kur u varros Aleksandar Rankoviqi, shkarkimin e të cilit, para 60 vitesh, në Plenumin e Brioneve, nacionalistët serbë nuk ia falën kurrë kryetarit jugosllav Josip Broz Tito. 7 vite më vonë policia serbe, e përkrahur edhe nga e ashtuquajtura Armatë Popullore e Jugosllavisë, rifilloi të vrasë shqiptarë – në mënyrë masive.
7 shtatori i vitit 2026 do të mbahet mend për ushtarët e Armatës së Serbisë, të cilët ia bartën arkivolin kriminelit të luftës Ratko Mlladiq deri në Shtëpinë e Armatës në Beograd dhe prej aty deri te varrezat e Topçiderit. Do të mbahet mend edhe për hipokrizinë e Patriarkut Porfirije, i cili flet gjoja “për paqe” dhe të hënën drejtoi meshën para varrimit të Mlladiqit.
Në ceremoninë e varrimit mori pjesë i biri i autokratit Aleksandar Vuçiq, si i deleguar i të atit. Disa ministra të qeverisë serbe qenë po ashtu të pranishëm në këtë manifestim të nacionalizmit serbomadh. U ekspozuan dekoratat dhe shpata e gjenocidistit Mlladiq. Televizionet transmetuan me orë të tëra drejtpërdrejt këtë karneval ksenofobie të quajtur varrim, pjesë e të cilit ishte edhe komplet udhëheqja e entitetit serb të Bosnjës. Dhe në fund të ditës shfaqet një zëdhënëse e BE-së dhe thotë: nuk ishte varrim shtetëror. Flet sikur të ishte, dhe me gjasë ishte, e koordinuar me regjimin e Vuçiqit.
Si rrallëherë, nderimet shtetërore që iu bënë Mlladiqit tregojnë se një pjesë e nomenklaturës sunduese në Serbi dhe në pjesët e dominuara nga serbët në Bosnjë, bashkë me një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të shoqërisë serbe, ende janë të etur për gjakderdhje. Më shumë se varrim, ajo që u pa të hënën ishte përgatitje për luftë.
Rrjedhimisht, reagimet në rajon nuk munguan. Orsat Mileniq, këshilltar i presidentit të Kroacisë, tha: «Regjimi serb lartëson kriminelin, ndërsa Brukseli dhe aleatët tanë evropianë heshtin!»
Për Nenad Çanakun, politikan opozitar serb, ajo që ndodhi në Beograd me dhe rreth Mlladiqit të vdekur nuk paraqet fare befasi: «Serbia po zhytet gjithnjë e më thellë në fashizëm.»
Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës me të drejtë kritikoi zëdhënësen e Bashkimit Evropian për deklaratën e saj skandaloze në mbrojtje të regjimit të Aleksandar Vuçiqit.
«Pesë ministra të qeverisë serbe qëndronin në rreshtin e parë në funeral, kriminelit të dënuar të luftës iu bënë nderime ushtarake, ndërsa trupi i tij u transportua me aeroplan të qeverisë serbe. Qëndrimi juaj për funeralin e kriminelit të dënuar të luftës është turp për të gjithë Bashkimin Evropian», njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, e cila vjen nga Portugalia, me një cinizëm të paparë tha: «Dëgjuam se ishte paraparë një funeral me nderime shtetërore, por kjo nuk ndodhi.»
Jadranka Kosor, ish-kryeministre e Kroacisë, reagoi me zemërim: «Pres nga e paafta Ursula von der Leyen (kryetarja e Komisionit Europian) që të pezullojë menjëherë negociatat me Serbinë.»
Togu i nderit i Ushtrisë së Serbisë qëlloi me armë në ajër.
Pjesëmarrësit në varrim këndonin: «Gjeneral, o gjeneral, hallall i qoftë nënës tënde që lindi një hero për t’i kthyer lavdinë serbizmit.»
Organizata «Nënat e Srebrenicës» bëri me dije se varrimi «rrezikon të bëhet tubimi më i madh fashist në Evropë në 70 vitet e fundit».
Së paku një lajm i mirë nga Knini i Kroacisë, ku Ratko Mlladiq më 1991 erdhi nga Prishtina për të kryer masakrat e para në Kroaci. Policia në Knin gjobiti një 56-vjeçar me 1000 euro, sepse kishte publikuar në internet këngë ku lartësohej krimineli i luftës.



