Rona Mala i bën krenarë Kosovën dhe diasporën, i bashkohet Ushtrisë Amerikane

Rona Mala, një vajzë e re me prejardhje nga Drenasi, është bërë pjesë e Gardës Kombëtare të Luizianës, duke nisur një rrugëtim të ri në kuadër të forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Mala ka përfunduar me sukses trajnimin 12-javor “Basic Combat Training” në bazën ushtarake Fort Sill, në Oklahoma.

Pas përfundimit të këtij trajnimi intensiv, ajo aktualisht po vazhdon “Advanced Individual Training” në Fort Leonard Wood, në shtetin Missouri.

Pas përfundimit të trajnimit të avancuar, Rona pritet t’u rikthehet studimeve universitare.

Maqedonci ka treguar se ishte i ftuar si mysafir nderi në ceremoninë e diplomimit të saj në Fort Sill, por nuk kishte mundur të merrte pjesë për shkak të angazhimeve zyrtare në Kosovë.

Në një postim, ai e ka cilësuar Ronën si shembull frymëzues për vajzat e diasporës shqiptare.

Sipas tij, Rona është dalluar edhe gjatë shkollimit, ku ka qenë pjesë e “Honor Roll”, ndërsa ka arritur deri në finale të garave kombëtare të vallëzimit në Shtetet e Bashkuara.

“Rona është ndër vajzat e rralla të diasporës sonë, që në një moshë kaq të re, ka zgjedhur t’i bashkohet Ushtrisë Amerikane”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka vlerësuar se suksesi i saj përbën krenari për familjen, Drenasin, diasporën dhe Kosovën.

“Urime, Rona! Të dëshiroj suksese në vazhdimin e trajnimit, në studime dhe në çdo sfidë të ardhshme. Kosova dhe diaspora jonë krenohen me ty!”, ka shkruar ministri.