Shkup–Kërçovë – Ndërtimi i autostradës Bukojçan–Kërçovë pritet të nisë së shpejti, duke u bërë segmenti i gjashtë autostrador që ndërtohet njëkohësisht në Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se gjatë kësaj jave pritet të përfundojë përzgjedhja e kompanisë që do të ndërtojë segmentin, ndërsa punimet mund të nisin deri në fund të shtatorit ose fillim të tetorit. Në garë janë tre ofertues, ndërsa vlerësimi po bëhet së bashku me BERZH-in.
Ndërkohë, në autostradën Kërçovë–Ohër, në tetor pritet të hapet pjesa më e ndërlikuar – tunelet dhe galeritë te Preseka, që Nikolloski i cilësoi si ndër tunelet më të gjata në vend.
Sipas tij, nëse kushtet atmosferike e lejojnë, i gjithë autostrada Kërçovë–Ohër pritet të vihet në përdorim gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Nikolloski tha gjithashtu se punimet në segmentin Gostivar–Kërçovë po zhvillohen sipas planit dhe afati i përfundimit mbetet fundi i vitit 2029.
Pas përfundimit të këtyre projekteve, në fokus janë edhe rrugët ekspres Koçan–Vinicë–Dellçevë–kufiri me Bullgarinë dhe Radovish–Strumicë–Novo Sellë–kufiri me Bullgarinë.



