85-vjeçari në pranga për zjarrvënie pranë Strugës! Dyshohet se i vuri flakën zonës mes Zagraçanit dhe Dollna Belicës

Një 85-vjeçar nga fshati Zagraçan i Strugës është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka shkaktuar qëllimisht një zjarr në hapësirë të hapur pranë fshatit.

Bëhet fjalë për A.M., i cili më 4 shtator, rreth orës 16:30, është ndaluar dhe arrestuar në rrugën lokale mes Zagraçanit dhe Dollna Belicës.

Sipas policisë, pak më herët, në zonën e njohur si „Lok“, ai dyshohet se kishte shkaktuar zjarr, ku ishte përfshirë bimësi e ulët.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve në Strugë, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.