BDI-ja e kërkon “botën serbe” te të tjerët, por ikën nga biografia e vet politike – thuhet në komunikatën e VLEN-it.
VLEN-i e dënon qartë dhe pa asnjë rezervë glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq. Për një deklaratë të tillë duhet të ketë përgjegjësi politike dhe institucionale. Për gjenocidin në Srebrenicë nuk ka relativizim, justifikim dhe nuk ka dy të vërteta. VLEN-i nuk i detyrohet askujt asgjë. Detyrimin e vetëm e ka ndaj qytetarëve që i dhanë besimin – thuhet në komunikatën e partisë VLEN.
“Çfarëdo që të thotë kjo BDI e pareformuar dhe hipokrite, e cila funksionon si një byro politike e vjetër, në fund përfundon me autogol. Për aq gjatë e ka shtrembëruar historinë e vet, saqë tashmë ka filluar t’u besojë edhe vetë gënjeshtrave të veta.
Pikërisht këta patriotë të përhershëm ishin pjesë e pushtetit që me të gjitha forcat e shtynte projektin e mini-Jugosllavisë, të njohur më shumë si “Ballkani i Hapur”, të cilin vetë e shisnin si një të ardhme të re rajonale, ndërsa sot e përshkruajnë si infrastrukturë të “botës serbe”.
BDI-ja e kërkon “botën serbe” te të tjerët, por ikën nga biografia e vet politike. Flet për ndikimin politik, ekonomik dhe mediatik serb sikur të kishte jetuar njëzet vjet në një planet tjetër, dhe jo sikur të kishte qenë pjesë e çdo qeverie, të kishte drejtuar ministri kyçe dhe të kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve.
“Prandaj, nëse BDI-ja dëshiron të flasë për ‘botën serbe’, do të flasim. Por me data, me deklaratat e tyre dhe me dokumente. Do t’ua rikujtojmë se çfarë thoshin dhe çfarë heshtnin gjatë kohës që ishin në pushtet, si dhe çfarë ndodhte para syve të tyre” – thuhet në komunikatën e VLEN-it.



