Bashkia Pustec paralajmëron ndërprerjen e bashkëpunimit me VMRO-DPMNE Shqipëri

Bashkia Pustec do të ndërpresë çdo marrëdhënie bashkëpunimi me Shoqatën VMRO-DPMNE Shqipëri, pas incidentit të ndodhur më 20 gusht gjatë një aktiviteti të organizuar në Pustec, ku nuk u ekzekutua Himni Kombëtar Shqiptar.

 

Në një përgjigje për Albanian Post, Bashkia Pustec e konsideron situatën të krijuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me dakordësimin e bërë paraprakisht me organizatorët.

Sipas Bashkisë, para zhvillimit të aktivitetit ishte bërë kërkesë që në program të përfshihej dhe të ekzekutohej Himni Kombëtar Shqiptar. Megjithatë, kërkesa nuk është zbatuar gjatë aktivitetit të 20 gushtit.

“Pas konstatimit të situatës së krijuar, Bashkia Pustec e konsideron mosrespektimin e kërkesës së bërë paraprakisht një veprim të papranueshëm dhe në kundërshtim me dakordësimin e komunikuar me organizatorët”, thuhet në përgjigjen e institucionit për Albanian Post.

Bashkia bën me dije se do t’u kërkojë organizatorëve një sqarim zyrtar për arsyet e moszbatimit të kërkesës së bërë paraprakisht.

Por qëndrimi i institucionit vendor shkon më tej. Bashkia Pustec deklaron se, pas këtij veprimi, do të ndërpresë çdo marrëdhënie me Shoqatën VMRO-DPMNE Shqipëri.

“Bashkia do t’i kërkojë organizatorit sqarim zyrtar lidhur me arsyet e moszbatimit të kërkesës së bërë paraprakisht për ekzekutimin e Himnit Kombëtar Shqiptar, dhe mbas këtij veprimi do të ndërpresë çdo marrëdhënie me Shoqatën VMRO-DPMNE Shqipëri”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Incidenti shkaktoi reagime pas aktivitetit të 20 gushtit në Pustec, ndërsa kryetari i bashkisë kishte shprehur publikisht qëndrimin e institucionit lidhur me mosrespektimin e kërkesës për Himnin Kombëtar Shqiptar.

Përgjigja e plotë e Bashkisë Pustec për Albanian Post:

Pas konstatimit të situatës së krijuar, Bashkia Pustec e konsideron mosrespektimin e kërkesës së bërë paraprakisht një veprim të papranueshëm dhe në kundërshtim me dakordësimin e komunikuar me organizatorët.

Deklaratat për shtyp të kryetarit të bashkisë Pustec shprehin qartë qëndrimin e institucionit të Bashkisë.

Bashkia do t’i kërkojë organizatorit sqarim zyrtar lidhur me arsyet e moszbatimit të kërkesës së bërë paraprakisht për ekzekutimin e Himnit Kombëtar Shqiptar, dhe mbas këtij veprimi do te ndërpresë çdo marrëdhënie me Shoqatën VMRO-DPMNE Shqipëri.