Tragjedi në brigjet e Qipros, përmbyset anija me 267 persona: 7 të vdekur dhe 23 të zhdukur

Një tragjedi detare ka ndodhur të dielën në brigjet e Qipros veriore, ku një anije pasagjerësh është përmbysur gjatë lundrimit nga Kyrenia drejt Taşucu në Turqi.

Sipas autoriteteve të Qipros veriore, në bord ndodheshin 267 persona. Nga këta, 237 janë shpëtuar, ndërsa 7 persona kanë humbur jetën. Aktualisht, 23 persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Anija, e identifikuar si Filo Jet, ishte nisur nga porti i Kyrenias rreth orës 11:58 sipas asaj lokale dhe kishte si destinacion portin turk të Taşucusë. Ajo ndodhej disa milje detare larg portit kur u përmbys.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë mobilizuar në zonë, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se prioriteti kryesor është gjetja e 23 personave që vijojnë të jenë të zhdukur.

Kryeministri i administratës së vetëshpallur të Qipros Veriore, Ünal Üstel, konfirmoi bilancin tragjik dhe tha se të gjitha burimet në dispozicion janë vënë në funksion të operacionit.

“Prioriteti ynë kryesor në këtë moment është të arrijmë 23 personat e zhdukur sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Üstel.

Edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan reagoi për ngjarjen, duke thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë pa ndërprerje. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Kompania që operon anijen, Filo Denizcilik, deklaroi se është “thellësisht e trishtuar” për aksidentin tragjik dhe se ka mobilizuar burimet e saj për të bashkëpunuar me ekipet e kërkim-shpëtimit. Kompania ka ngritur gjithashtu një linjë telefonike për familjarët e pasagjerëve.

Shkaqet që çuan në përmbysjen e anijes nuk janë bërë ende të ditura dhe pritet të hetohen nga autoritetet.