BDI: Autostrada Shkup- Bllacë u dëmtua pa bulevardin “Hasan Prishtina”. VLEN po e shkatërron lidhjen jetike që BDI e kishte siguruar

Me 6 prill 2023, Qeveria e udhëhequr nga BDI ndau 8 milionë euro për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, rrugës së njohur edhe si Rruga e Kaçanikut, në drejtim të Kosovës, deri te qarkorja e Shkupit, ku do të lidhej me qarkoren dhe autostradën Shkup- Bllacë.

BDI kishte siguruar 2 milionë euro për ndërtimin e rrethrrotullimit te semaforët e bulevardit “Slloveneçka”, si dhe 6 milionë euro për realizimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, mjete të cilat iu transferuan Qytetit të Shkupit.

Ky projekt nuk ishte rastësor. BDI kishte projektuar një lidhje të plotë infrastrukturore, sepse autostrada Shkup- Bllacë nuk ka asnjë kuptim të plotë pa një hyrje moderne, funksionale dhe dinjitoze në Shkup nga drejtimi i Kosovës. Sot, e vetmja hyrje në Shkup që nuk ka formën e një bulevardi është pikërisht hyrja nga Kosova.

Qyteti i Shkupit e kishte projektuar bulevardin dhe ishin zhvilluar bisedime edhe me afaristët e zonës së Vizbegut. Pra, VLEN nuk kishte nevojë të shpikte asgjë të re, por vetëm të vazhdonte dhe të realizonte projektin jetik që BDI e kishte përgatitur dhe financuar.

Por sot, në vend që këto mjete të përdoren për realizimin e këtij projekti strategjik, VLEN po i largon ato dhe po i orienton drejt një projekti tjetër në qendër të Shkupit. Kjo është dëshmi e qartë e paaftësisë për të kuptuar dhe realizuar projekte strategjike, por edhe e hipokrizisë së tyre ndaj lidhjes Shkup- Bllacë.

E njëjta paaftësi dhe hipokrizi u dëshmua edhe me autostradën Shkup- Bllacë, të cilën BDI ua la të përgatitur dhe të gatshme për realizim, ndërsa VLEN e vonoi për dy vjet e gjysmë dhe e shtrenjtuan projektin për mbi 30 milionë euro.

Nuk mund të flitet për autostradën Shkup- Bllacë, ndërkohë që largohen mjetet për rrugën që duhet ta lidhë atë drejtpërdrejt me Shkupin. Autostrada pa bulevardin “Hasan Prishtina” është një lidhje e cunguar, ndërsa vendimi për t’i larguar këto mjete dëshmon se VLEN nuk ka as vizion, as kapacitet për ta kuptuar rëndësinë strategjike të këtij projekti.

BDI e kishte projektuar dhe buxhetuar të gjithë lidhjen, nga kufiri me Kosovën deri në Shkup. VLEN, edhe projektet e gatshme që i gjen, arrin t’i vonojë, t’i shtrenjtojë dhe t’i dëmtojë.