U përfshinë nga flakët pylli me dushqe dhe sipërfaqe me bar të thatë – zjarrfikësit dyshojnë se zjarri ishte i qëllimshëm
Pas disa orësh luftë me flakët, zjarrfikësit e Dibrës pak para mesnatës arritën të shuajnë zjarrin që shpërtheu mbi qytet, në territorin e fshatit Tatar Elevci.
“Me përpjekje mbinjerëzore arritëm ta shuajmë zjarrin e madh që përfshiu një sipërfaqe nën fshatin Tatar Elevci, mbi vetë qytetin. Jemi të bindur se zjarri ishte i qëllimshëm”, deklaroi për MIA-n Xhetan Miftaroski, komandant i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve.
Zjarri përfshiu një terren të vështirë për t’u aksesuar, ku u dogjën pyll me dushqe dhe bimësi e ulët, si dhe sipërfaqe me bar të thatë.
Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe përpjekjeve të tyre të vazhdueshme, flakët u vunë nën kontroll dhe zjarri u shua para se të shkaktonte pasoja më të mëdha.





