STUHI E FUQISHME PËRFSHIN VERILINDJEN DHE LINDJEN E MAQEDONISË SË VERIUT
Më shumë shi në Kriva Pallankë, situata më kritike në Obleshevë
Stuhi e fuqishme goditi mbrëmjen e së shtunës disa qytete dhe vendbanime në pjesët verilindore dhe lindore të Maqedonisë së Veriut. Reshje të rrëmbyeshme shiu, erëra të forta dhe bubullima u regjistruan në Kumanovë, Kriva Pallankë, Dellçevë, Vinicë, Koçan dhe zonat përreth.
Nga terreni raportohen dëme materiale, ndërsa në disa akse rrugore pati vështirësi dhe ndërprerje të qarkullimit.
Në fotografitë e publikuara pas stuhisë shihen pjesë të shpërndara të konstruksioneve të çative dhe materiale të tjera nëpër rrugë, si dhe degë e pemë të rrëzuara. Në disa zona, lëvizja e automjeteve është vështirësuar ose është ndërprerë përkohësisht.
Më e rëndë paraqitet situata në Obleshevë, ku pas stuhisë është ndërprerë furnizimi me energji elektrike. Probleme janë raportuar edhe në komunikacion, ndërsa reshjet e dendura dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme dhe vështirësi të shumta.
Disa rrugë në afërsi të Koçanit janë bllokuar. Qarkullimi është ndërprerë edhe në daljen e qytetit në drejtim të Vinicës, pasi një pemë e rrëzuar ka bllokuar rrugën.
Stuhia, e shoqëruar me erë të fortë, shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, e përfshiu Koçanin dhe rajonin mbrëmjen e së shtunës, pak pas orës 20:00. Në disa lokacione të qytetit janë shkaktuar probleme në komunikacion dhe në lëvizjen normale të qytetarëve.
Sipas të dhënave të raportuara nga terreni, Kriva Pallanka ka regjistruar sasinë më të madhe të reshjeve, ndërsa Oblesheva mbetet një nga zonat më të prekura nga pasojat e motit të keq.



