Debati për zgjedhje të parakohshme parlamentare është rikthyer fuqishëm në Maqedoninë e Veriut, por deklaratat e partive po krijojnë situatë paradoksale. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje nëse këtë e kërkon opozita, ndërsa opozita po përgjigjet se është gati dhe kërkon që menjëherë të caktohet data. Në anën tjetër, VLEN nuk i sheh zgjedhjet si prioritet, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe BDI deklarohen të gatshme për përballje të re elektorale. Pra, në deklarata pothuajse të gjithë thonë se “nuk kanë frikë” nga zgjedhjet, por dallimi qëndron te pyetja kryesore, kush po kërkon realisht që ato të mbahen?, raporton Portalb.mk.
Mickoski: Nëse opozita i kërkon, ne shkojmë
Kryeministri Hristijan Mickoski e ka përsëritur edhe një herë se koalicioni qeverisës nuk do t’i shmangej zgjedhjeve të parakohshme nëse opozita kërkon që ato të mbahen.
Mickoski thotë se Qeveria ka marrë mandat nga qytetarët për katër vjet, por nëse opozita konsideron se nevojiten zgjedhje të reja, pushteti do t’i përgjigjet pozitivisht dhe pret që sërish të fitojë.
Në pamje të parë, kjo duket si një ofertë e hapur. Por problemi është se Mickoski nuk thotë “le t’i caktojmë zgjedhjet”. Ai po vetëm thotë që “nëse opozita i kërkon, ne jemi gati”. Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi.
Nëse kryeministri është aq i bindur se koalicioni i tij do të fitojë sërish, pse nuk e merr vetë iniciativën politike dhe të propozojë një datë? Kjo pyetje bëhet edhe më interesante duke pasur parasysh se Mickoski gjatë muajve të fundit disa herë ka paralajmëruar se zgjedhjet mund të mbahen “së shpejti”, ndërsa më pas ka deklaruar se preferon që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028, duke përmendur njëkohësisht edhe vitin 2027 si opsion.
Pra, zgjedhjet janë “së shpejti”, por pa datë. Janë të mundshme, por jo domosdoshmërisht tani. Qeveria është gati, por përgjegjësinë për kërkesën ia lë opozitës.
LSDM: Jemi gati, por nuk do të bëhemi alibi
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pas deklaratës së Mickoskit tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje kurdo që ato të shpallen.
Ai deklaroi se LSDM po përgatitet me ekip dhe program dhe se nuk dëshiron të përdoret si “alibi” për zgjedhje.
“Jo, nuk do të jemi alibi. Do të ketë zgjedhje kur të mbarojnë paratë për tendera të korruptuar. Kjo është ajo që u intereson atyre, asgjë tjetër. Ne jemi sigurisht gati, po përgatitemi çdo ditë. Nëse më pyetni nëse jemi gati, jemi gati me një ekip, jemi gati me një program të mirë”, tha Filipçe.
Por edhe pse LSDM thotë se është gati, nuk është ajo që ka mekanizmin për ta shpërndarë Kuvendin dhe për ta caktuar vetë datën. Pra, topi mbetet në fushën e pushtetit.
BDI: Mos flasim më, shpërndajeni Kuvendin
Ndër partitë opozitare, BDI është shumë më konkrete. Pas deklaratës së Mickoskit, BDI kërkoi që fjalët të shndërrohen në veprim, të shpërndahet Kuvendi, të caktohet data dhe të shkohet në zgjedhje.
BDI pretendon se Qeveria e ka humbur legjitimitetin për të vazhduar, duke e akuzuar për izolim evropian, degradim të marrëdhënieve ndëretnike, cenim të Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësim të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.
“BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, thuhet në reagimin e partisë.
Pra, BDI është pro zgjedhjeve dhe kërkon që ato të ndodhin sa më shpejt. Kjo e vendos atë në një pozicion interesant, opozitë që kërkon zgjedhje nga një kryeministër që thotë se është i gatshëm t’i mbajë, por vetëm nëse opozita i kërkon.
Tani mbetet të shihet nëse Mickoski do ta shndërrojë ofertën e tij në veprim.
Aleanca për Shqiptarët: “Jemi gati që sot”
Edhe Aleanca për Shqiptarët është rreshtuar qartë në kampin pro zgjedhjeve.
Pas deklaratës së Mickoskit, ASH tha se është e gatshme që që nga sot të ulet dhe të caktohet data e zgjedhjeve, pa taktizime, prolongime apo kalkulime politike.
Partia argumenton se qytetarët duhet të kenë mundësi të japin vlerësimin e tyre për mënyrën se si po qeveriset vendi dhe se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë do të jetë për vendin.
“Jemi të gatshëm që që sot të ulemi dhe ta caktojmë datën e zgjedhjeve. Nuk ka nevojë për taktizime, prolongime apo kalkulime politike”, thanë nga ASH.
Pra, në kampin shqiptar opozitar tashmë kemi një pozicion të qartë, edhe BDI edahe ASH i përgjigjen pozitivisht ofertës së Mickoskit.
VLEN: Zgjedhjet nuk janë prioritet
Por brenda kampit shqiptar qeveritar situata është krejt tjetër.
VLEN nuk e sheh mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme si prioritet.
Pas kërkesës së BDI-së, VLEN reagoi duke thënë se opozita është lodhur nga qëndrimi jashtë pushtetit dhe se BDI nuk di të funksionojë pa pushtet.
Në vend të zgjedhjeve, VLEN thotë se prioritet janë projektet infrastrukturore, Korridori 8, rruga Shkup–Bllacë dhe rruga Tetovë–Prizren. Sipas tyre, këto projekte janë më të rëndësishme sesa zgjedhjet dhe pushteti.
“Këto projekte për ne janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet dhe pushteti”, deklarojnë nga VLEN.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin, ato do të kishin mbështetje nga një pjesë e madhe e aktorëve politikë.
Por pyetja është, a dëshiron realisht pushteti zgjedhje të parakohshme, apo thjesht po përdor gatishmërinë për zgjedhje si mesazh politik ndaj opozitës?
Nëse Mickoski beson se koalicioni qeverisës do t’i fitojë zgjedhjet, siç deklaroi publikisht, atëherë zgjedhjet e parakohshme mund të duken si një mundësi për ta forcuar edhe më shumë mandatin politik.
Por nëse Qeveria është e bindur se ka legjitimitet për katër vjet, atëherë nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.
Kjo është arsyeja pse përsëritja e vazhdueshme e formulës “jemi gati nëse opozita i kërkon” krijon situatë të pazakontë, kryeministri e hap derën, por nuk e hap plotësisht.
Por pjesa më domethënëse e mozaikut është nëse partneri shqiptar i Qeverisë nuk i konsideron zgjedhjet të nevojshme, ndërsa kryeministri vazhdon të flasë për to pa caktuar datë, atëherë deklaratat për zgjedhje mund të jenë më shumë instrument presioni politik sesa një plan konkret për shpërndarjen e Kuvendit.
Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në maj dhe qershor të këtij viti, ai tha së shpejti do të ketë zgjedhje,për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028, por shtoi se partia në pushtet VMRO-DPMNE është e përgatitur të fitojë edhe në zgjedhjet e vitit 2027. Mickoski tha se disa parti u frikësuan nga deklarata e tij se “së shpejti do të ketë zgjedhje”.



