Bërvenica sërish pritet të jetë një nga komunat më interesante në zgjedhjet lokale. Gara mes kandidatëve shqiptarë dhe maqedonas pritet të jetë e fortë deri më 18 tetor, kur njëra palë do ta festojë fitoren.
Sipas informacioneve që ka siguruar TetovaSot, kësaj radhe loja politike në Bërvenicë ka ndryshuar. Anëtarët e Lidhjes Demokratike (LD), partisë së Izet Mexhitit, dega në Bërvenicë, pritet të mbështesin kandidatin e BDI-së, Arkin Jahi.
Në një bisedë telefonike për portalin TS, njëri nga anëtarët e LD-së – dega Bërvenicë, konfirmoi se anëtarët kanë vendosur ta mbështesin Arkin Jahiun.
“Ne, anëtarët e LD-së, dega Bërvenicë, kemi vendosur që kësaj radhe ta mbështesim kandidatin Arkin Jahi”, u shpreh shkurt ai, pa dhënë më shumë detaje.
Kjo lëvizje mund të ndikojë në garën zgjedhore në Bërvenicë, ndërsa mbetet e paqartë nëse VLEN-i, si dhe partitë tjera pjesë e koalicionit, përfshirë BESA, ASH dhe Alternativa, do të marrin një vendim të ngjashëm apo do të mbështesin kandidatin e VMRO-së.
Deri tani, Arkin Jahi është kandidati i vetëm shqiptar i bërë zyrtar për Komunën e Bërvenicës. Gara pritet të marrë formë të plotë në ditët në vijim./TS/





