Nepali nuk ka ende nevojë për ndihmë të huaj në operacionet e kërkim-shpëtimit pas përmbytjeve shkatërruese që goditën disa qytete, tha ministria e jashtme, pavarësisht ofertave për ndihmë nga disa vende, shtetasit e të cilave u zhdukën në katastrofë.
Përmbytjet, ndër të tjera, goditën distriktin Rasuwa pranë kufirit kinez, duke rrafshuar qytete të tëra, duke dëmtuar hidrocentralet dhe duke marrë gati 500 jetë njerëzish. Qindra shtetas të huaj ende konsiderohen të zhdukur.
Midis tyre ka edhe qytetarë të Koresë së Jugut. Seuli ka njoftuar se ka dërguar tashmë një ekip reagimi në Nepal dhe do të dërgojë gjithashtu një ekip ndihme në rast katastrofe.
Nepali: Nuk kemi nevojë për ndihmë për momentin
Ministria e Jashtme e Nepalit tha se po i menaxhon vetë përpjekjet e shpëtimit për momentin. “Është e natyrshme të ofrojmë ndihmë. Agjencitë tona të sigurisë po kryejnë operacione kërkim-shpëtimi. Nuk kemi nevojë për një ndihmë të tillë për momentin”, tha Lok Bahadur Chhetri, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, pa dhënë hollësi.
Gazeta Kathmandu Post raportoi se India, Kina, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Japonia, Koreja e Jugut, Sri Lanka dhe Bangladeshi i kanë kërkuar qeverisë të lejojë ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit të ndihmojnë në operacione.
Ministria e jashtme e Koresë së Jugut tha se Nepali ka lënë të kuptohet se ende nuk planifikon të pranojë ekipe të huaja shpëtimi.
“Koreja e Jugut do të vazhdojë negociatat me Nepalin për këtë çështje”, shtoi ministria.
Seuli ka premtuar 1 milion dollarë (rreth 860,000 euro) ndihmë humanitare përmes organizatave ndërkombëtare, tha të mërkurën ministri i jashtëm. Nëntë shtetas të Koresë së Jugut që punojnë në hidrocentralin rezultojnë të zhdukur dhe 10 janë të bllokuar përkohësisht, tha të mërkurën ministria e jashtme e Koresë së Jugut.
Ndjeshmëria e Tibetit
Dinesh Bhattarai, ish-ambasadori i Nepalit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, tha se ngurrimi i qeverisë për të pranuar ekipe të huaja kërkim-shpëtimi mund të lidhet me vendndodhjen e distriktit Rasuwa të goditur nga përmbytjet.
Rasuwa kufizohet me Tibetin e Kinës, një rajon që është një nga çështjet territoriale më të ndjeshme të Pekinit. Nepali prej kohësh ka ndjekur një rrugë të kujdesshme në marrëdhëniet e tij diplomatike me fqinjin e tij shumë më të madh. “Ndoshta ata menduan për ndjeshmërinë e vendndodhjes së rajonit dhe vendosën të mos pranonin ekipe të huaja”, tha Bhattarai për Reuters.




