Grabitja më e madhe në histori: Hakohet gjiganti i kriptomonedhave Binance, vidhen 6.3 miliardë dollarë

Binance, platforma më e madhe në botë për tregtimin e kriptomonedhave, ka konfirmuar se mbrëmjen e kaluar është përballur me një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë vjedhur asete digjitale në vlerë prej 6.3 miliardë dollarësh.
Ngjarja po cilësohet si “grabitja më e madhe në histori” në industrinë e kriptomonedhave.
Nga kompania bëjnë të ditur se, me ndihmën e platformave partnere, kanë arritur të ngrijnë afërsisht gjysmën e shumës së vjedhur. Binance ka premtuar se do t’i mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga sulmi.
Hetimet e para të brendshme sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur nga një laptop i komprometuar i njërit prej inxhinierëve të kompanisë. Kjo dyshohet se u ka mundësuar sulmuesve të kenë qasje në sistem dhe të kryejnë tërheqje të paautorizuara të shumave të mëdha të parave.
Dyshimet për hakerët e Koresë së Veriut
Kompania për hulumtimin e sigurisë kibernetike TRM Labs, e cila përdor edhe inteligjencën artificiale në hetimet e saj, ia atribuon sulmin grupit të hakerëve nga Koreja e Veriut, të njohur si “TraderTraitor”.
Sipas TRM Labs, disa elemente të sulmit përputhen me operacionet e mëparshme të lidhura me regjimin në Phenian, përfshirë edhe sulmin ndaj platformës Bybit në vitin 2025, kur u vodhën 1.5 miliardë dollarë.
Ky sulm i fundit e tejkalon dukshëm rekordin e mëparshëm dhe konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj industrisë së kriptomonedhave. 
Binance: Do t’i mbulojmë të gjitha humbjet
Ari Redbord, analist kryesor në TRM Labs, deklaroi për BBC se ky sulm përfaqëson një moment vendimtar për industrinë e kriptomonedhave.
Ai theksoi se sulmuesit ende mund të kenë në dispozicion një shumë të konsiderueshme të parave të vjedhura, çka do të thotë se gjurmimi dhe rikuperimi i mjeteve sapo ka filluar.
Nga Binance nuk kanë dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me përfshirjen e mundshme të Koresë së Veriut, por kanë deklaruar se po bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit për të identifikuar autorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.
Kompania ka theksuar se fondet e përdoruesve janë të sigurta dhe se do të mbulojë të gjitha humbjet nga fondi i saj rezervë SAFU dhe nga mjetet e kompanisë. / BBC