Gjermania me rekord të viktimave nga i nxehti: 15 mijë e 800 të vdekur

Rreth 15 mijë e 800 persona kanë vdekur në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta që nga fillimi i vitit, sipas Institutit Robert Koch (RKI), instituti gjerman për shëndetin publik.

Shifra, e bazuar në të dhënat deri më 26 korrik, tregon se Gjermania ka regjistruar tashmë më shumë viktima të lidhura me temperaturat e larta në më pak se shtatë muaj sesa në çdo vit të plotë që nga viti 2016, shkruan Deutsche Welle, transmeton klankosova.tv.

Numri më i lartë vjetor para këtij viti ishte rreth 9 mijë viktima në vitin 2018, i cili gjithashtu ishte një vit me temperatura veçanërisht të larta.

Sipas RKI-së, më shumë se gjysma e viktimave të vlerësuara këtë vit, rreth 9 mijë e 600 persona, lidhen me valën rekorde të të nxehtit në fund të qershorit.

Gjatë kësaj vale, temperaturat arritën në pothuajse 42 gradë Celsius.

Qershori i vitit 2026 ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore, sipas të dhënave të shërbimit klimatik të Bashkimit Evropian, Copernicus.

Ndërkohë, rreth 4 mijë vdekje të tjera i janë atribuar motit të nxehtë nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit.

Ky numër pritet të rritet, pasi disa lande gjermane raportojnë të dhënat e vdekshmërisë me vonesë prej disa javësh.

Rreth 11 mijë e 900 nga viktimat e vlerësuara këtë vit ishin persona mbi moshën 75-vjeçare.