Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, pretendon se ekziston një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, përmes së cilës, me bllokimin e punës së Kuvendit, do të krijoheshin kushte për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Filipçe tha se informacionet për një marrëveshje të tillë i kanë marrë gjatë ditëve të fundit dhe vlerësoi se një bllokadë eventuale institucionale do të përdorej si alibi për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Ekziston një marrëveshje mes grupit të organizuar kriminal të VMRO-së dhe BDI-së, dhe ajo është që, përmes ndërhyrjeve procedurale nga grupi parlamentar i BDI-së, të bllokohet puna e Kuvendit dhe kjo të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Filipçe.
Ai nuk dha detaje shtesë për informacionet mbi të cilat i bazon këto pretendime, as nuk sqaroi se kur, sipas tij, mund të fillonte bllokada eventuale.
Deklarata vjen në një periudhë kur sërish është aktualizuar tema e zgjedhjeve të mundshme të parakohshme parlamentare dhe kushteve politike nën të cilat ato mund të shpallen.





