Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi propozimin e Komisionit Evropian për reformimin e procesit të zgjerimit të BE-së, duke bërë të ditur planet për integrim gradual, kontroll më të rreptë të kandidatëve dhe një metodologji të re. Ajo tha se procesi po hyn në një “moment të ri të Helsinkit”, transmeton Portalb.mk.
“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, deklaroi Kos në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë në Zagreb.
Në fjalimin e saj, Kos theksoi elementet kryesore të rishikimit të ardhshëm të politikës së parazgjerimit, një nismë e vonuar prej kohësh që shqyrton se si mund të duket Bashkimi Evropian me më shumë se 30 anëtarë. Komisioni e ka rikthyer këtë çështje në vëmendje përpara diskutimit të rëndësishëm të liderëve të BE-së, i cili pritet të zhvillohet në tetor.
Sipas Kos, BE-ja po përballet me një moment të ri të Helsinkit, duke iu referuar takimit të liderëve evropianë në kryeqytetin finlandez, i cili hapi rrugën për zgjerimin pas Luftës së Ftohtë, me pranimin e deri në dhjetë anëtarëve të rinj.
“Komisioni do të prezantojë idetë e tij se si Bashkimi Evropian duhet të përgatitet ndërsa vendet kandidate i afrohen fundit të negociatave për anëtarësim”, tha Kos.
Ajo vlerëson se një Union më i madh do të ketë nevojë për reforma të rëndësishme për të ruajtur aftësinë për të vepruar shpejt dhe për t’u përshtatur në kohë krize.
“Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për ta bërë procesin e vendimmarrjes më të thjeshtë dhe më fleksibil. Kjo mund të nënkuptojë edhe zvogëlimin e numrit të fushave ku një shtet anëtar mund t’i bllokojë të gjithë të tjerët. Por kjo NUK do të nënkuptojë zvogëlimin e institucioneve tona”, tha Kos.
Një tjetër element që ajo theksoi është forcimi i mekanizmave ekzistues mbrojtës për të parandaluar që anëtarët e rinj të largohen nga standardet demokratike dhe sundimi i ligjit, siç ka ndodhur me Hungarinë.
“Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë që ‘kuajt e Trojës’ të hyjnë në BE. As sot, as pas 10 apo 20 vitesh. Përvoja e fundit ka treguar se mund të nevojiten masa mbrojtëse më të fuqishme për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, për të korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të Unionit”, tha Kos.
Disa vende të BE-së, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë sugjeruar që blloku duhet ta rishqyrtojë metodologjinë e zgjerimit, veçanërisht përmes integrimit gradual, i cili do t’u ofronte vendeve kandidate përfitime konkrete në një fazë më të hershme.
“Zgjerimi i BE-së duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur realitetit të ditëve të sotme. Prandaj, duhet të largohemi nga logjika ‘gjithçka ose asgjë’ në zgjerim. Duhet të kërkojmë mënyra më ambicioze për integrim gradual”, tha Kos.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.



