“Kosova është Serbi, do të ketë luftë” – gruas në -Mitrovicën e Veriut i vjen mesazhi kërcënues për vr*sjen e shqiptarëve, Policia nis hetimet

Një rast serioz i kanosjes është denoncuar në Mitrovicën e Veriut, ku një grua ka pranuar në telefonin e saj një mesazh me përmbajtje kërcënuese dhe nacionaliste, në të cilin paralajmërohet madje luftë dhe vrasja e shqiptarëve të Kosovës, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për A. M., rreth 37-vjeçar, e cila rastin e ka denoncuar në Policinë e Kosovës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, M. kishte pranuar mesazhin më 23 gusht, rreth orës 19:20, nga një person që deri më tani mbetet i paidentifikuar.

Mesazhi nis me pretendimin “Kosova është Serbi”, për të vazhduar më pas me kërkesën që shqiptarët e Kosovës të largohen dhe të jetojnë në Shqipëri.

Por përmbajtja bëhet edhe më kërcënuese në vazhdim.

Dërguesi paralajmëron se, nëse kjo nuk ndodh, “do të ketë luftë”, ndërsa mesazhi përmban edhe kërcënimin se serbët do t’i vrasin shqiptarët e Kosovës.

Siç mëson Sinjali, një ditë më vonë, më 24 gusht, rreth orës 10:50, M. është paraqitur në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, ku ka raportuar rastin dhe ka vënë në dijeni autoritetet për mesazhin e pranuar.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet procedura për veprën penale “Kanosje”.

Personi që qëndron pas mesazhit kërcënues ende nuk është identifikuar, ndërsa hetimet pritet të fokusohen në zbulimin e dërguesit dhe rrethanave në të cilat është dërguar mesazhi.

Rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.

/GazetaSinjali/