“Lotaria” / Prokuroria me 231 prova dhe 7 dëshmitarë kundër Grubit dhe 7 personave të tjerë

Me shoqërim policor, ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga paraburgimi u soll sot në Gjykatën Penale të Shkupit për seancën e parë gjyqësore lidhur me lëndën për shpërdorim e 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore.

Grubi i shoqëruar nga dy avokatët, Goce Ristevski dhe Vlladimir Donevski u ul në bankën e të akuzuarit, ndërsa për veprën që i ngarkohet, Kodi Penal parashikon prej 1 deri në 5 vjet burg.

Krahas tij, sot në seancë janë paraqitur edhe 6 të akuzuar të tjerë. Në afërsi të tij, është ulur Metodija Dimovski, ish sekretar i Qeverisë, por edhe të akuzuarit Skender Memeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Bashkim Avdi dhe Aleksandar Dimitrieski. Mungoi vetëm ish drejtori i Lotarisë Përparim Bajrami, i cili është i akuzuar i parë në këtë lëndë, por që mbetet në arrati prej dhjetorit të vitit 2024.

Megjithatë seancë e sotme zgjati shkurt, meqë organi i akuzës nuk ua ka dorëzuar palëve provat. Për këtë, prokurorët e lëndës Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski kishin përgatitur tetë pako me prova, të cilat i morën avokatët e të akuzuarve. Siç shpjeguan prokurorët, ata posedojnë listë me 231 prova materiale, të cilat thanë se do t’i prezantojnë brenda një seance gjyqësore, ndërsa ato verbale, respektivisht dëshmitë e 7 dëshmitarëve për 2 deri në 3 seanca, ndonëse kjo nuk mund të përcaktohet pasi do të varet edhe nga numri i pyetjeve të kryqëzuara nga ana e avokatëve të mbrojtjes.

Meqenëse mbrojtja nuk ka pasur mundësi të përgatitet për shkak se nuk i ka pasur provat, gjykatësja e lëndës Biljana Shuplinovska – Jovevski u dha dy javë kohë, respektivisht caktoi seancën e radhës për më 7 shtator. Deri atëherë, avokatët duhet t’i studiojnë provat e Prokurorisë, të përgatisin mbrojtjen dhe të dorëzojnë listë të tyre me prova.

Njëkohësisht, gjyqtarja në pajtim me palët caktoi dinamikën e gjykimit për periudhën e ardhshme, e cila sipas terminëve do të jetë mjaftë e ngjeshur. Gjatë muajit shtator, do të mbahen 6 seanca gjyqësore, ndërsa 7 të tjera janë caktuar në tetor.

Sipas Prokurorisë, Artan Grubi dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet burg, megjithatë propozim akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, respektivisht prej 1 deri në 5 vjet burg. /Alsat.mk