Temperaturat rrezikojnë prodhimin e energjisë

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve po shtojnë presionin mbi sistemin energjetik të vendit. Nivelet e ulëta të ujit në akumulime dhe prurjet e dobëta në lumenj mund të ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e energjisë elektrike, veçanërisht në atë nga hidrocentralet.

Ekspertët vlerësojnë se vendi disponon kapacitete të konsiderueshme për prodhimin e energjisë elektrike, por një pjesë e tyre janë të vjetruara dhe nuk mund të shfrytëzohen në kapacitetin e parashikuar.

Eksperti i energjetikës, Konstandin Dimitrov, thekson se rritja e kapaciteteve fotovoltaike ka ndikuar në shtimin e ofertës së energjisë dhe mund të krijojë kushte për çmime më të ulëta në treg. Megjithatë, sipas tij, prodhimi i energjisë nga ESM dhe ai nga prodhuesit privatë funksionojnë me kosto dhe çmime të ndryshme.

“Në letër kemi një numër të madh dhe të mjaftueshëm kapacitetesh për prodhimin e energjisë elektrike dhe, nëse ato do të punonin me kapacitet të plotë dhe në gjendje të mirë, do t’i plotësonin nevojat e të ashtuquajturit sistem i tensionit të ulët. Këtu bëjnë pjesë termocentralet Manastir, Osllomej, Negotinë dhe të gjitha hidrocentralet e tjera.

Nuk i përmend burimet e rinovueshme, sepse janë relativisht të papërfillshme në krahasim me termocentralet dhe hidrocentralet që kemi. Këto kapacitete janë të vjetruara dhe nuk mund të prodhojnë aq sa është parashikuar, gjë që është e natyrshme, pasi jetëgjatësia e tyre po përfundon gradualisht.

Ato duhet të zëvendësohen me pajisje të reja, moderne dhe në gjendje të mirë, të cilat i presim çdo ditë, por ajo ditë po vonohet gjithnjë e më shumë”, u shpreh Dimitrov.

Sipas tij, mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta mund të vazhdojnë të ndikojnë në prodhimin e energjisë edhe gjatë muajve të ardhshëm. Kjo mund të krijojë presion për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Megjithatë, çmimi përfundimtar do të varet nga disa faktorë, përfshirë lëvizjet në bursat ndërkombëtare të energjisë, mundësitë për import dhe eksport, kostot e prodhimit dhe furnizimit, si dhe gjendjen e përgjithshme të sistemit energjetik.

Rritja e prodhimit nga burimet fotovoltaike paraqet një faktor pozitiv për ofertën në treg, por ekspertët theksojnë se për një sistem më të qëndrueshëm dhe më të sigurt nevojiten investime të mëtejshme në kapacitete të reja dhe modernizimin e kapaciteteve ekzistuese.