Voziste motorin me 1.52 promilë alkool, arrestohet 39-vjeçari

Kumanovari 39-vjeç është ndaluar dhe shoqëruar në polici gjatë natës, pasi është kapur duke drejtuar një motoçikletë në gjendje të dehur.

Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit, në rrugën “Gjorgje Petrov”, në lagjen “Pero Çiço” të Kumanovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, policët e Sektorit te Puneve te Brendshme (SPB) Kumanovë, rreth orës 01:55, e kanë privuar nga liria personin me iniciale D.A. (39) nga Kumanova.

Policia ka ndaluar motoçikletën me targa të Kumanovës gjatë një kontrolli rutinë në komunikacion. Pas testimit të drejtuesit, është konstatuar se ai kishte 1.52 promilë alkool në gjak.

Për shkak të gjendjes së tij, drejtuesi është përjashtuar menjëherë nga komunikacioni dhe është shoqëruar në stacionin policor.

Me udhëzim të prokurorit publik, 39-vjeçari është mbajtur në polici, ndërsa pas kompletimit të dokumentacionit për rastin, ndaj tij pritet të parashtrohet kallëzim përkatës.