Ismail KADARE
/Europa dhe SHBA –ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor/
…Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos kuptojë se një identitet i ndarë (i diskutuar) është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Europa. Dhe përjashtimi nga Europa nuk është larg dëbimit nga Europa. Ky nuk është përfundim teorik dhe as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndjerë në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Dy shpërnguljet e fundit, ajo e vitit 1950, kur treqind mijë shqiptarë të Kosovës (ata që sot do të ishin një milion) u dëbuan prej Rankoviçit në Turqi, dhe ajo e vitit 1999, kur një milion shqiptarë po e zbraznin Kosovën, në sytë e gjithë botës, nuk do të harrohen kurrë. Këto shpërngulje nuk kanë rënë si rrufe në qiell të pastërt. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadist, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrilloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste. Në këto përgatitje, po të hulumtosh tani do të gjesh paradigma të vjetra: Njëra prej tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Europën e krishterë. Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë këtë punë. Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë driten jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptarë, atij “që s’kishte identitet evropian”, dmth të shqiptarëve myslimanë, bazohej në besimin e tij të verbër se Europa do të binte në këtë kurth gjenocidar. Ne e dimë ç’ndodhi. Europa dhe SHBA –ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor…
Përzgjedhur nga Rrustem Mustafa



