Zyrtarët doganorë të Zyrës Doganore Kufitare Karasoviçi kanë parandaluar tentativën për futjen e paligjshme të 43 orëve të dorës në territorin e Bashkimit Evropian.
Sipas mediave kroate, automjetin në të cilin u gjetën orët po e ngiste një shtetas i Kosovës me leje qëndrimi në Kroaci.
“Gjatë zbatimit të masave të shtuara të kontrollit doganor në trafikun e udhëtarëve, në hyrje të territorit doganor të Bashkimit Evropian është kontrolluar një automjet me targa kroate, të cilin e drejtonte një shtetas i Republikës së Kosovës me leje qëndrimi në Republikën e Kroacisë”.
“Gjatë kontrollit të automjetit, në një valixhe udhëtimi në ulësen e pasme janë gjetur 43 orë të dorës të padeklaruara, të markave të ndryshme”, njoftoi Administrata Doganore e Kroacisë
Për shkeljen e kryer, drejtuesit të automjetit i është lëshuar urdhër kundërvajtës dhe i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 6 mijë eurosh.
Gjithashtu, është marrë masa e konfiskimit të mallrave që janë objekt i kundërvajtjes.
“Duke pasur parasysh dyshimin e bazuar se në mallrat në fjalë janë vendosur pa autorizim shenjat dalluese të markave të mbrojtura tregtare, përkatësisht pa miratimin e bartësve të të drejtave, procedura e mëtejshme është në zhvillim e sipër”, është thënë në njoftimin e Administratës Doganore. /Klankosova



