Ashtu si çdo sezon, edhe këtë verë, me ardhjen e mërgimtarëve, rrugët e Kumanovës u përballën me ngarkesë të madhe të trafikut. Gjatë muajve korrik dhe gusht, janë shpeshtuar kolonat, bllokimet në shumë akse të qytetit, ndërsa problemi i kahershëm i qarkullimit vazhdon të mbetet pa zgjidhje të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse institucionet përgjegjëse vazhdimisht njoftojnë për aktivitete dhe kontrolle në terren, qarkullimi në Kumanovë vazhdon të karakterizohet nga kolona të gjata dhe ngarkesë e madhe, veçanërisht në rrugët kryesore të qytetit. Një nga rrugët më problematike është rruga “JNA”, e cila e lidhë me bulevardin “3MUB” dhe për tu kyçur në bulevard pritja shkon deri në 20- 30 minuta.
Në kulmin e sezonit veror, kur fluksi i automjeteve është ndjeshëm më i lartë, Kumanova po përballet edhe me mungesën e semaforëve në pikën më të frekuentuar të qytetit, në bulevardin kryesor “3 MUB” në udhëkryqin pranë Tregut të Gjelbër. Mosfunksionimi i tyre ka rënduar edhe më tej qarkullimin, duke shkaktuar kolona dhe vështirësi shtesë për drejtuesit e automjeteve.
Po ashtu, mugnesa e vendparkimeve dhe parkimi i parregullt i makinave vetëm se e shton më shumë kaosin në qytet, ndërsa për këtë veprimtari, Kumanova ka vetëm një automjet të shërbimit të merimangës.
Nga Sektori për Punë të Brendshme -Kumanovë për Portalb.mk, bënë të ditur se në territorin e Kumanovës në dispozicion është vetëm një automjet i shërbimit të merimangës, ndërsa zyrtarët policorë janë të angazhuar në dy ndërrime, nga ora 08:00 deri në 16:00 dhe nga ora 16:00 deri në 00:00.
“Në automjetin e merimangës është i angazhuar një zyrtar policor, ndërsa në këtë shërbim janë të përfshirë edhe disa zyrtarë të tjerë policorë, të cilët ndërrohen çdo ditë. Në rast se automjeti i merimangës del jashtë funksionit, zyrtarëve policorë u caktohen detyra të tjera nga fusha e komunikacionit”, thonë nga SPB-Kumanovë.
Për gjithë këtë kaos dhe pse për të njëjtin nuk ka zgjidhje pyetëm Komunën e Kumanovës, por nga atje nuk na u përgjigjën.
Ndryshe, kaosi në trafik në Kumanovë shtohet çdo vit gjazë sezonit të verës dhe dimrit kur vijnë mërgimtarët.





