Violinisti shqiptar u kap me 1 mln euro kokainë: E mora në Shqipëri/ Kolegët: Jemi të tronditur

Një violinist 45-vjeçar është lënë në paraburgim në Francë pasi u ndalua nga doganierët në pikën e pagesës së autostradës në La Turbie (Alpes-Maritimes), më 10 gusht. Ai transportonte gati 40 kg kokainë, me origjinë nga Shqipëria. Gjykimi i tij do të zhvillohet më 9 tetor.

Një burrë 45-vjeçar u ndalua në pikën e pagesës së autostradës në La Turbie më 10 gusht 2026. Gjatë një kontrolli, autoritetet gjetën 38,3 kg kokainë në automjetin e tij, raporton L’Est Républicain. Një sasi që përfaqëson një vlerë prej më shumë se një milion eurosh.

Me profesion violinist, 45-vjeçari merrte pjesë rregullisht me orkestrën e Besançon-it (Doubs), pa qenë pjesë e saj në mënyrë të përhershme.

E gjithë sasia e drogës së sekuestruar ndodhej në automjetin e tij gjatë kontrollit të kryer nga doganierët e Mentonit.

Më pas ai u vendos në ndalim policor për marrje në pyetje, ndërkohë që në banesën e tij në Doubs po zhvillohej një kontroll, raporton ici Besançon.

Para cash dhe armë

Atje, hetuesit gjetën 90.000 euro para cash, katër armë të kategorive B dhe C, si dhe municionet e tyre, saktëson France 3 Bourgogne-Franche-Comté.

I paraqitur para Gjykatës Penale të Nices, të premten më 14 gusht, i pandehuri shpjegoi se e kishte marrë drogën në Shqipëri.

Ai duhej të merrte 20.000 euro për ta kryer misionin deri në fund.

Burri u vendos në paraburgim, pasi kërkoi një afat shtesë për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Ai do të gjykohet më 9 tetor.

Të pyetur nga L’Est Républicain, kolegët e tij në orkestër e përshkruajnë si një njeri të pëlqyer nga kolektivi, “shumë të gatshëm për të ndihmuar” dhe “të sjellshëm”.

Një tronditje për orkestrën

Megjithatë, formacioni muzikor nuk dëshiron të lidhet me këtë çështje.

“Nëse faktet vërtetohen, mund të na vijë keq që reputacioni i orkestrës, e cila është krenari e rajonit tonë, të njolloset”, deklaroi Jérôme Durain, president i rajonit Bourgogne-Franche-Comté.

“Bëhet fjalë për veprimin e një individi të vetëm, i cili nuk duhet të përzihet me orkestrën Victor Hugo. Drejtësia do ta bëjë punën e saj dhe ky njeri duhet të përgjigjet për veprimet e tij”, shtoi kryetari i bashkisë së Besançon-it, Ludovic Fagaut.

© SYRI.net