Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja po zhvillojnë bisedime intensive për të shmangur vendosjen e tarifave të reja prej 50 për qind ndaj produkteve kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
Sipas Associated Press Tarifat e paralajmëruara nga presidenti amerikan Donald Trump pritet të hyjnë në fuqi të mërkurën, nëse dy vendet nuk arrijnë marrëveshje, transmeton Klankosova.tv.
Kryeministri kanadez Mark Carney i ka cilësuar negociatat si “shumë intensive dhe delikate”, ndërsa të hënën zhvilloi një bisedë telefonike me Trumpin në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
ShBA-ja po kërkon që Kanadaja të rrisë blerjet e pajisjeve ushtarake amerikane, përfshirë avionët F-35, si dhe bashkëpunimin në fushën e mineraleve kritike. Ndërkohë, Ottawa kërkon heqjen e disa tarifave amerikane ndaj çelikut, aluminit dhe lëndës drusore.
Trump ka kërcënuar gjithashtu me përdorimin e një dispozite të Akti të Tarifave të vitit 1930, që i lejon presidentit amerikan të vendosë tarifa deri në 50 për qind ndaj vendeve që konsiderohen se diskriminojnë bizneset amerikane.
Me afrimin e afatit, të dyja palët po përpiqen të shmangin një përshkallëzim të ri tregtar mes dy vendeve.



