KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit./rel