Irani ngulmon se Hormuzi do të mbetet i mbyllur

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, ka përsëritur qëndrimin e Teheranit se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara “të përmbushin zotimet e tyre” sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të arritur me Republikën Islamike.

Këto deklarata vijnë një ditë pasi afati 60-ditor, i paraparë në këtë memorandum, skadoi pa ndonjë marrëveshje.

Periudha 60-ditore ishte paraparë në memorandum për palët që të negocionin përfundimin e luftës që nisi në fund të shkurtit.

Qalibaf, i cili shërben si kryenegociator i Iranit, tha se Teherani tha se do t’i dërgojë një mesazh të qartë SHBA-së.

Ai listoi kushtet që tha se Uashingtoni është zotuar t’i zbatojë, në bazë të memorandumit, përfshirë heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane, zhbllokimin e aseteve të ngrira, heqjen e sanksioneve ndaj naftës dhe ndaljen e kërcënimeve ushtarake dhe operacioneve “në të gjitha frontet”.

Derisa të zbatohen këto zotime, tha Qalibaf, “Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet”.

Më herët gjatë gushtit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Amerika e kontrollon ngushticën.

Që nga nisja e luftës, Irani ka mbyllur këtë rrugë të rëndësishme ujore, duke prekur kalimin e dërgesave të naftës për në tregjet globale. Teherani e ka përdorur mbylljen e ngushticës si një kartë të rëndësishme në negociatat me Uashingtonin. Para luftës, nëpër këtë rrugë ujore kalonte një e pesta e dërgesave me naftë dhe gaz në botë./rel