Mësues të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë në kuadër të Seminarit të Mësuesve, një aktivitet i rëndësishëm kushtuar mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet mësuesve shqiptarë.
Në këtë organizim morën pjesë edhe mësues shqiptarë nga Zvicra, të cilët prej vitesh kontribuojnë në mësimin e gjuhës shqipe dhe në ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Zvicër.
Seminari mblodhi mësues dhe veprimtarë të arsimit shqip nga vende të ndryshme, të bashkuar rreth një misioni të përbashkët: ruajtjen, mësimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj në diasporë.
Takimi u shërbeu pjesëmarrësve si mundësi për të shkëmbyer përvoja nga puna e tyre, për të diskutuar sfidat e mësimdhënies në diasporë dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi, transmeton albinfo.ch.
Në një reagim pas aktivitetit është shprehur mirënjohje për Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Departamentin e Arsimit për Diasporën, nën drejtimin e Besarta Balajt, si dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, të drejtuar nga Mimoza Hysa, dhe stafin organizues të seminarit.
Pjesëmarrja e mësuesve nga Zvicra dëshmon rëndësinë që ka mësimi plotësues i gjuhës shqipe për komunitetin shqiptar në këtë vend. Përmes punës së tyre, mësuesit kontribuojnë jo vetëm në njohjen dhe përdorimin e gjuhës amtare, por edhe në ruajtjen e lidhjeve të brezave të rinj me kulturën dhe identitetin shqiptar.
Seminari përcolli gjithashtu mesazhin se, pavarësisht distancave gjeografike dhe vendeve ku jetojnë shqiptarët, gjuha shqipe vazhdon të jetë një nga urat më të fuqishme që lidh diasporën me vendlindjen.
“Gjuha shqipe është pasuria jonë e përbashkët, ndërsa mësuesit janë rojet dhe përcjellësit e saj te brezat e ardhshëm”, ishte një nga mesazhet e përcjella në përfundim të aktivitetit.



